Gianluigi Buffon ka folur për herë të parë pas largimit nga Federata Italiane, duke analizuar rikthimin e Roberto Mancinit në stolin e kombëtares dhe problemet e futbollit italian.
Ish-kapiteni i Azzurrëve pranoi se Mancini është një trajner i aftë dhe me ide të përshtatshme për një projekt afatgjatë, por theksoi se personalisht do të kishte preferuar një profil tjetër.
“Po të isha unë drejtori teknik, objektivi i parë do të ishte kualifikimi në Botëror. Mbi këtë bazë do të zgjidhja Conten, më pas Baldinin dhe të tjerë. Fillimisht duhet projekti, pastaj personi i duhur”, deklaroi Buffon.
Ai komentoi edhe largimin e bujshëm të Mancinit në vitin 2023, duke kujtuar se vetë kishte qëndruar me Juventusin edhe në Serie B për shkak të lidhjes me fanellën.
Për Claudio Ranierin, Buffon përdori fjalë të mëdha: “Në një rol kaq delikat, ai ofron një mijë garanci, si në aspektin njerëzor, ashtu edhe në atë teknik.”
Ish-portieri foli edhe për Andrea Pirlon, duke e cilësuar përpjekjen për ta paraqitur si të papërshtatshëm për kombëtaren si “një komplot politik të ngathët dhe të pasuksesshëm”.
Buffon ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e hapësirave për talentet italiane. Sipas tij, Serie A ka mbetur pas kampionateve kryesore europiane dhe trajnerët kanë frikë t’u besojnë të rinjve për shkak të presionit të rezultateve.










