Tetë persona janë shoqëruar nga Policia e Shtetit deri në orën 17:30, pas incidenteve të shënuara gjatë protestës së zhvilluar këtë të enjte pranë Kuvendit të Shqipërisë.
Sipas policisë, disa prej protestuesve kanë shtyrë dhe kanë goditur efektivët me vezë, domate, gurë dhe sende të tjera, ndërsa kanë tentuar të cenojnë perimetrin e sigurisë së Kuvendit dhe të bllokojnë qarkullimin.
Efektivët u kanë bërë disa herë thirrje përmes megafonit që të ndalonin veprimet e kundërligjshme dhe të zbatonin urdhrat e policisë. Sipas bluve, këto thirrje nuk janë respektuar nga disa prej pjesëmarrësve.
Në vijim, për neutralizimin e veprimeve të dhunshme, policia ka përdorur spraj individual policor dhe ka shoqëruar tetë persona të dyshuar për përfshirje në incidentet.
Policia e Shtetit deklaron se vijon punën për garantimin e rendit dhe sigurisë, ndërsa u ka bërë apel protestuesve që të ushtrojnë të drejtën për tubim në mënyrë paqësore dhe të respektojnë ligjin.
Sipas policisë, çdo veprim i kundërligjshëm gjatë protestës do të trajtohet në përputhje me procedurat ligjore.











