Te Barcelona ka shqetësim sa herë Raphinha i bashkohet Kombëtares së Brazilit dhe këtë herë statistikat e justifikojnë plotësisht frikën.
Gjatë vitit 2026, kapiteni i katalanasve është dëmtuar në të tria grumbullimet e zhvilluara me “Seleção”: më 26 mars, më 20 qershor dhe më 29 shtator.
Dëmtimi i parë erdhi në një miqësore ndaj Francës në Boston dhe i kushtoi Raphinhas mungesën në çerekfinalet e Champions League kundër Atlético Madridit.
Goditja e dytë erdhi gjatë Kupës së Botës, në ndeshjen e fazës së grupeve ndaj Haitit në Philadelphia. Braziliani pësoi një tjetër problem muskulor dhe nuk luajti më në pjesën e mbetur të turneut.
Rasti i tretë ndodhi në Sydney, në fund të shtatorit, gjatë një miqësoreje ndaj Australisë. Edhe atëherë bëhej fjalë për një takim pa peshë të madhe sportive.
Tani Raphinha përgatitet për udhëtimin e katërt dhe të fundit me Brazilin këtë vit, kësaj radhe në Singapor, rreth 11 mijë kilometra larg Barcelonës.
Brazili do të luajë dy miqësore, ndaj Japonisë më 14 nëntor dhe ndaj Singaporit më 17 nëntor.
Nëse Raphinha qëndron deri në fund të grumbullimit, ai do të ketë pak kohë rikuperimi përpara sfidës së Barcelonës ndaj Villarrealit më 22 nëntor.
Shqetësimi i klubit katalanas lidhet jo vetëm me historikun e dëmtimeve, por edhe me rëndësinë që Raphinha ka fituar këtë sezon.
Braziliani ka realizuar 19 gola dhe ka dhënë tre asistime, ndërsa është kthyer në një nga figurat kryesore të skuadrës së Hansi Flick.
Pas rinovimit të kontratës deri në vitin 2030, Raphinha u përpoq të qetësonte tifozët.
“Nëse jam vërtet i rëndësishëm, Ancelotti do të dijë si të më menaxhojë. Tifozët duhet ta dinë se kujdesem për veten”, deklaroi ai.
Megjithatë, te Barcelona ekziston frika se historia mund të përsëritet. Në një periudhë ku skuadra po lufton për kreun në La Liga, një vend në tetëshen e parë të Champions League dhe nisjen e Kupës së Mbretit, humbja e Raphinhas do të ishte një goditje e rëndë.
Për Flick, ai nuk është thjesht një titullar. Është kapiten, golashënues dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.











