Barcelona ka marrë një fitore të madhe në transfertë ndaj Atlético Madrid, duke përmbysur rezultatin pas një ndeshjeje me dy fytyra dhe duke ruajtur vendin e parë në La Liga.
Skuadra e Diego Simeones ishte dukshëm më e mirë në pjesën e parë dhe kaloi në avantazh pas vetëm 11 minutash. Julián Álvarez nisi aksionin, ndërsa Giuliano Simeone u shfaq në zonë dhe finalizoi për 1-0, duke ndezur “Metropolitano”.
Atlético dominoi në intensitet, presing dhe duele, ndërsa Barcelona vuajti për të gjetur ritmin e saj. Julián Álvarez pati dy mundësi shumë të mira për të ndëshkuar katalanasit, por shpërdoroi dy dalje të pastra përballë Joan Garcías.
Kur dukej se pjesa e parë do të mbyllej me avantazhin e vendasve, Fermín López ndryshoi gjithçka. Pas një topi të larguar nga mbrojtja e Atleticos, mesfushori i Barcelonës goditi menjëherë me të majtën dhe realizoi golin e barazimit.
Në pjesën e dytë, pamja e ndeshjes ndryshoi plotësisht.
Barcelona mori kontrollin e lojës, rriti presionin dhe filloi të krijonte vazhdimisht rrezik përmes Lamine Yamal dhe Pedrit.
Julián pati edhe një tjetër mundësi të artë për të rikthyer Atleticon në avantazh, por tentativa e tij për të kaluar portierin me një parabël përfundoi mbi portë.
Dhe Barcelona nuk fali.
Lamine Yamal udhëhoqi një tjetër aksion sulmues dhe Fermín u shfaq sërish në zonë, këtë herë duke realizuar me të djathtën për të kompletuar dopietën personale dhe për t’i dhënë Barcelonës avantazhin.
Simeone tentoi të ndryshonte ndeshjen duke hedhur në fushë Sorloth dhe Jonathan David, por Atlético nuk e gjeti më energjinë e pjesës së parë.
Barcelona menaxhoi epërsinë deri në fund dhe mori tri pikë të çmuara në një nga transfertat më të vështira të sezonit.
Në një mbrëmje ku Julián Álvarez falë shumë përpara portës, Fermín López bëri të kundërtën: dy raste, dy gola dhe një fitore që mban Barcelonën në krye.










