Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu është paraqitur këtë të hënë në GJKKO, ku pritet të dëshmojë në kuadër të procesit gjyqësor për dosjen “Partizani”.
Mediu është thirrur në cilësinë e dëshmitarit për të dhënë shpjegime mbi rrethanat dhe zhvillimet që lidhen me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Seanca e kësaj të hëne ishte parashikuar të zhvillohej më 26 tetor, por u shty për shkak të bojkotit të avokatëve mbrojtës, të cilët kundërshtojnë rregulloren e GJKKO-së.
Çështja “Partizani” lidhet me privatizimin e ish-kompleksit sportiv dhe përfitimin e mëvonshëm të truallit nga persona të lidhur me familjen e ish-kryeministrit Sali Berisha.
SPAK pretendon se gjatë kohës që Berisha drejtonte qeverinë, janë kryer veprime për të favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, në përfitimin e pronës. Në këtë dosje, Berisha akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, ndërsa Malltezi dhe biznesmeni Fatmir Bektashi për korrupsion dhe pastrim parash.











