Pas problematikave të konstatuara në analizat e ujit në dy zona të Vlorës, ku u raportua mungesë e klorit dhe prani e amoniakut, analizat e mëtejshme kanë evidentuar edhe ndotje fekale.
Institucionet përgjegjëse kanë reaguar dhe kanë kryer kontrolle në terren, ndërsa shqetësim mbeten edhe depozitat e ujit të vendosura mbi pallatet e qytetit, për shkak të kushteve higjieno-sanitare dhe mungesës së mirëmbajtjes së tyre.
Uji nga këto depozita përdoret nga qytetarët jo vetëm për konsum, por edhe për gatim, larjen e enëve dhe higjienën personale, duke shtuar rrezikun e ekspozimit ndaj mikroorganizmave dhe infeksioneve në rast ndotjeje.
Situata kërkon kontrolle të vazhdueshme, transparencë për rezultatet e analizave dhe masa konkrete për pastrimin e dezinfektimin periodik të depozitave të ujit, me qëllim garantimin e sigurisë dhe shëndetit të qytetarëve.











