Ushtruesja e detyrës së presidentes në Kosovë Albulena Haxhiu, mbajti këtë të martë një takim konsultues lidhur me krizën politike atje.
Në këtë takim që sipas saj u thirr “në lidhje me zhvillimet aktuale politike, institucionale dhe rëndësinë e arritjes për Presidentin konsensual, rrjedhimisht edhe formimin e institucioneve të tjera kushtetuese” morën pjesë kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kryetarja e Guxo, Donika Gërvalla, kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, parti këto në koalicion me LVV-në si dhe përfaqësuesit e partive të minoriteteve jo serbe.
Por takimit nuk i janë bashkuar tri partitë kryesore opozitare, PDK, LDK dhe Aleanca. Ata kanë bojkotuar duke akuzuar Kurtin e Haxhiun se po e mbajnë qëllimisht në ngërç situatën politike.
Vetë Kurti e shmangu një koment mbi takimin.
Albulena Haxhiu, deklaroi se Vetëvendosja është gati për një president konsensual jo nga radhët e saj, por kritikoi opozitën se i mungon vullneti politik, ndërsa i kërkoi emra konkretë për presidentin.
Albin Kurti kërkoi disa ditë më parë më shumë kohë për emrin e kreut të Kuvendit pa arritur më parë një marrëveshje për presidentin me partitë e tjera. Ai pritet që të ketë edhe një takim të radhës me LDK.
Kurti i ka votat për të konstituuar Kuvendin dhe më tej për votëbesimin e qeverisë, por për t’u zgjedhur presidenti kërkohet pjesëmarrja në votim e së paku 80 deputetëve, numra që Kurti mund t’i arrijë vetëm përmes një marrëveshje me opozitën.
Kosova vijon prej afro 2 vitesh ngërçin politik dhe palët atje duken ende shumë larg arritjes së një zgjidhje ndërsa ashtu si në ditët e kaluara, anëtarë dhe deputetë të PDK-së rrethuan kryeministrinë duke kërkuar rifillimin e seancës konstituive të ndërprerë.











