UEFA ka rihapur hetimin ndaj Barcelonës për çështjen Negreira, pas dokumentacionit të dorëzuar nga Real Madridi lidhur me pagesat e kryera nga klubi katalanas gjatë periudhës 2001-2018.
Sipas raportimeve, Real Madridi i ka dërguar UEFA-s rreth 50 mijë faqe dokumentacion, të cilat tashmë po shqyrtohen nga inspektorët e etikës dhe disiplinës së institucionit europian.
Në qendër të hetimit janë rreth 8.4 milionë euro që Barcelona i pagoi José María Enríquez Negreira, ish-zëvendëspresident i Komitetit Teknik të Arbitrave në Spanjë. UEFA synon të përcaktojë natyrën e këtyre pagesave dhe nëse ato kanë pasur ndonjë ndikim në integritetin e garave.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, e kishte cilësuar më herët situatën si jashtëzakonisht serioze, duke theksuar se për UEFA-n çështja nuk konsiderohet e parashkruar.
Real Madridi ka kërkuar masa disiplinore ndaj Barcelonës, ndërsa sipas rregulloreve të UEFA-s, një klub mund të përjashtohet nga kompeticionet europiane nëse provohet se ka tentuar të ndikojë apo manipulojë një garë.
UEFA ka konfirmuar zyrtarisht marrjen e dokumenteve nga Real Madridi dhe ka bërë të ditur se ato do të vlerësohen në kuadër të shqyrtimit të vazhdueshëm të çështjes.











