Thibaut Courtois ka shprehur hapur pakënaqësinë për vështirësinë që kanë portierët për t’u vlerësuar në garën për “Topin e Artë”, duke pranuar se ende nuk e kupton se çfarë sezoni duhet të zhvillojë një portier për të fituar çmimin më prestigjioz individual.
Portieri i Real Madridit iu rikthye vitit 2022, kur mendon se meritonte të renditej më lart, edhe pse pranoi se Karim Benzema ishte fituesi i merituar.
“Mendoj se duhej të isha renditur më lart në vitin 2022. Karim e meritonte, por ne mund të bëjmë paraqitje të jashtëzakonshme dhe në fund Mbappé shënon një gol dhe njerëzit kujtojnë atë. Nuk e di çfarë sezoni duhet të bëjë një portier për të fituar ‘Topin e Artë’”, u shpreh Courtois.
Belgu foli gjithashtu për të ardhmen e tij, duke bërë të qartë se dëshiron ta mbyllë karrierën te Real Madridi. Pas rinovimit të kontratës, objektivi i tij mbetet të qëndrojë në formë dhe të fitojë trofe të tjerë me klubin madrilen.
Courtois doli edhe në mbrojtje të Vinicius Junior, i cili është kritikuar për paraqitjet e tij të fundit. Sipas portierit, është e pamundur që një futbollist të jetë gjithmonë në nivel maksimal.
“Vetëm Messi dhe Cristiano kanë arritur të jenë gjithmonë në atë nivel. Vinicius duhet të ndihet i lirë dhe ta shijojë futbollin. Nëse duam të konkurrojmë, na duhet versioni më i mirë i tij”, deklaroi ai.
Në prag të sfidës ndaj PSV-së në Champions League, Courtois vlerësoi gjithashtu skuadrën holandeze, por theksoi se objektivi i Real Madridit mbetet fitorja.











