Një video e shkurtër nga një aktivitet zyrtar në Nju Jork ka tërhequr vëmendjen e përdoruesve të rrjeteve sociale, duke nxitur pretendime të pazakonta për politikanin demokrat Jordan Wright. Gjithçka nisi pas një gjesti të çuditshëm të syve të tij, i cili u interpretua nga mbështetës të teorive konspirative si shenjë se ai mund të ishte një krijesë jashtëtokësore e maskuar si njeri.
Pamjet u regjistruan gjatë një konference për shtyp në bashkinë e Nju Jorkut, ku kryebashkiaku Zohran Mamdani prezantonte planin për mbylljen e burgut të Rikers Island. Në një moment, Wright shihet duke buzëqeshur dhe duke lëvizur sytë në mënyrë të pazakontë. Videoja u shkëput nga konteksti dhe u shpërnda me shpejtësi në internet, ku disa komentues pretenduan se lëvizja ngjante me mënyrën se si pulitin sytë zvarranikët.
Përballë reagimeve, 32-vjeçari reagoi në një prononcim për gazetën New York Post, duke mohuar me ironi pretendimet se nuk është njeri. Ai deklaroi se identiteti i tij njerëzor dëshmohet edhe nga puna që kryen në politikë, duke përmendur financimin prej 4 milionë dollarësh për qendrën e drejtësisë mjedisore WE ACT në Harlem. “Nuk mund të flas për zvarranikët apo jashtëtokësorët”, u shpreh ai.
Wright është përfaqësues i distriktit të 70-të të Nju Jorkut dhe është rizgjedhur në detyrë pa kundërshtar. Teoria se figura të rëndësishme politike janë në të vërtetë qenie zvarranikësh që kanë marrë pamje njerëzore qarkullon prej vitesh në internet, por nuk mbështetet nga asnjë provë shkencore. Rasti i politikanit amerikan është bërë një tjetër shembull se si një moment i shkurtër filmik mund të shndërrohet në një debat viral të ushqyer nga teoritë konspirative.











