Michael Olise ishte një nga emrat më të përfolur për një kalim te Real Madrid gjatë verës, por drejtori sportiv i Bayern Munich, Max Eberl, ka zbuluar një detaj interesant rreth situatës.
Sipas Eberl, drejtuesit e Real Madridit telefonuan dy herë Bayernin për të sqaruar se nuk kishin pasur kontakte me lojtarin dhe se nuk po zhvillonin negociata për transferimin e tij.
“Real Madrid na telefonoi dy herë për të na siguruar se nuk kishte pasur kontakte dhe se nuk ka as tani”, deklaroi Eberl gjatë një takimi me tifozët.
Edhe presidenti i Bayernit, Herbert Hainer, kishte konfirmuar më herët se kishte diskutuar për Olise me Florentino Pérez, i cili gjithashtu kishte mohuar çdo bisedim me futbollistin apo agjentin e tij.
Pavarësisht kësaj, gjatë merkatos së fundit Olise u lidh vazhdimisht me Real Madridin, ndërsa në disa raportime u përmend edhe fakti se Kylian Mbappé dhe Ibrahima Konaté kishin tentuar ta bindnin francezin për një transferim në Madrid.
Olise ka kontratë me Bayern Munich deri në vitin 2029 dhe për momentin një largim nuk duket në planet e klubit gjerman. Përkundrazi, drejtuesit e Bayernit kanë bërë të ditur se synojnë të diskutojnë në të ardhmen edhe për një rinovim të kontratës.











