Bashkimi Europian synon të thellojë izolimin e Rusisë përmes një pakete të re sanksionesh, e cila prek jo vetëm sektorin financiar dhe energjetik, por edhe aktivitetet sportive, kulturore dhe lëvizjen e shtetasve rusë në territorin europian.
Komisioni Europian prezantoi këtë të hënë paketën e 22-të të masave kundër Moskës, ku ndër propozimet kryesore është përjashtimi i rreth 60 bankave ruse nga sistemi ndërkombëtar i pagesave SWIFT, si dhe ndalimi i hyrjes në BE për luftëtarët dhe ish-luftëtarët rusë që kanë marrë pjesë në luftën kundër Ukrainës.
Paketa u bë publike nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas. Megjithatë, masat nuk kanë hyrë ende në fuqi, pasi duhet të marrin miratimin unanim të 27 vendeve anëtare.
Një prej shtyllave kryesore të paketës së re është goditja e mëtejshme e sistemit financiar rus. Brukseli propozon zgjerimin e kufizimeve për rreth 60 banka, të cilat do të përjashtohen nga SWIFT, rrjeti ndërkombëtar që përdoret nga institucionet financiare për shkëmbimin e mesazheve dhe udhëzimeve të pagesave.
Masat nuk ndalen vetëm te bankat. Në fokus janë edhe platformat e kriptomonedhave dhe rrjetet e pagesave në Rusi, si dhe ato në shtete të tjera që dyshohet se ndihmojnë Moskën të shmangë kufizimet europiane.
Për të forcuar kontrollin në këtë sektor, BE-ja ka ngritur edhe një grup të posaçëm pune për sanksionet ndaj kriptomonedhave, me synimin për të identifikuar dhe penguar mekanizmat që përdoren për anashkalimin e masave financiare
Një tjetër pjesë e paketës prek kompanitë europiane që operojnë në Rusi. Sipas propozimit, ato nuk do të lejohen të ofrojnë shërbime për ndërtimin, funksionimin apo riparimin e infrastrukturës energjetike ruse, përfshirë rafineritë e naftës.
Për herë të parë, këto kufizime do të shtrihen edhe te shërbimet që lidhen me sektorin e energjisë elektrike, duke zgjeruar më tej fushën e presionit ndaj industrisë energjetike të Moskës.
Masat përfshijnë gjithashtu transportin detar. Mbi 70 anije të tjera pritet të shtohen në listën e të ashtuquajturës “flotë në hije”, që Rusia përdor për transportin e naftës dhe shmangien e kufizimeve ndërkombëtare. Komisioni propozon gjithashtu ndalimin e të gjitha anijeve cisternë që janë të siguruara në Rusi.
Përtej ekonomisë, paketa e 22-të sjell edhe masa që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë europiane. Komisioni propozon ndalimin e hyrjes në Bashkimin Europian për luftëtarët dhe ish-luftëtarët rusë që kanë marrë pjesë në luftën kundër Ukrainës që prej shkurtit 2022.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, argumentoi se këta persona përbëjnë një rrezik për sigurinë e vendeve europiane dhe nuk duhet të lejohen të lëvizin lirshëm në territorin e tyre.











