Një tentativë grabitjeje në një minimarket në Selanik ka përfunduar në mënyrë të pazakontë, pasi pronari shqiptar i biznesit reagoi menjëherë dhe detyroi autorët të largoheshin pa marrë asgjë.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, rreth orës 05:15, në zonën e Vardarit, kur dy të rinj me fytyrat e mbuluara dhe me kapuç hynë në dyqan me qëllim grabitjen.
Autorët tentuan të frikësonin pronarin për të marrë paratë dhe sendet me vlerë, por nuk e prisnin reagimin e tij. Shqiptari, i armatosur me një shkop, u përball menjëherë me ta duke i sharë në shqip dhe duke i ndjekur jashtë ambientit të minimarketit.
“Hajde këtu të q*fsha ropt”, dëgjohet t’u bërtasë ai autorëve, ndërsa i ndjek pas. Të rinjtë, u detyruan të largoheshin me vrap pa arritur të grabisnin asgjë.
Rasti ka tërhequr vëmendjen e mediave në Greqi, ndërsa deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar.











