Prania e OTP Bank në Rusi po kërcënon të bllokojë blerjen e Luminor Bank, marrëveshja më e madhe e këtij lloji në historinë e grupit bankar hungarez.
OTP synon të marrë kontrollin e Luminor, grupi i tretë më i madh bankar në rajonin e Baltikut, por operacionet që vijon të zhvillojë në Moskë kanë ngritur shqetësime serioze te rregullatorët estonezë.
Sipas Bloomberg, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të Estonisë po shqyrton me kujdes lidhjet dhe aktivitetin e bankës hungareze në tregun rus përpara se të japë miratimin për transaksionin.
Presioni është shtuar pas publikimit të dokumenteve konfidenciale, sipas të cilave mes klientëve të OTP-së në Rusi ndodhen kompani të kontrolluara nga gjiganti shtetëror Gazprom.
Në dokumente përmenden gjithashtu kompani që ofrojnë shërbime për organizata të lidhura me Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme të Rusisë, SVR.
Ministri estonez i Financave e ka cilësuar praninë e OTP-së në Rusi një “turp moral”, duke sinjalizuar kundërshtimin e fortë politik ndaj hyrjes së bankës hungareze në tregun baltik pa u larguar më parë nga Moska.
Në këto kushte, OTP po shqyrton me urgjencë mundësitë për të dalë plotësisht nga tregu rus, në përpjekje për të shpëtuar marrëveshjen për blerjen e Luminor.
Megjithatë, shitja e aktivitetit në Rusi mbetet tepër e vështirë për shkak të kufizimeve të vendosura nga Kremlini ndaj largimit të kompanive të huaja.
Drejtuesi i OTP-së, Peter Csanyi, deklaroi se banka po vlerëson çdo alternativë, por pranoi se, në kushtet aktuale, një shitje është “praktikisht e pamundur”.
Ngërçi ka shkaktuar reagim të fortë edhe në tregjet financiare. Aksionet e OTP Bank kanë humbur rreth 5% të vlerës brenda 48 orëve, duke zbritur në afërsisht 119.95 euro për aksion.
Investitorët druhen se banka mund të mbetet e bllokuar në tregun rus dhe, njëkohësisht, të humbasë mundësinë për t’u zgjeruar në Europën Veriore.
Blerja e Luminor konsiderohet një lëvizje strategjike për të ardhmen europiane të OTP-së, por miratimi i saj tashmë varet edhe nga mënyra se si grupi do të zgjidhë lidhjet me Rusinë.
Rasti tregon vështirësitë me të cilat përballen institucionet financiare që vazhdojnë të ruajnë aktivitet në Rusi, ndërkohë që kërkojnë të zgjerohen në tregjet e Bashkimit Europian.
OTP Bank është e pranishme edhe në tregun shqiptar përmes OTP Bank Albania./skyweb











