Vizita e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Emiratet e Bashkuara Arabe po shoqërohet me mister dhe shumë pikëpyetje, pasi Ministria e Jashtme e Emirateve ka refuzuar të komentojë raportet mbi takimin.
Megjithatë, përtej heshtjes zyrtare për vizitën dhe përmbajtjen e bisedimeve, Abu Dhabi ka bërë një deklaratë që tërheq vëmendjen. Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe tha se vendi ruan “linja të hapura dhe të drejtpërdrejta komunikimi” me Izraelin dhe se ndan me palën izraelite “të gjithë informacionin relevant të inteligjencës”.
Kjo deklaratë e lë të hapur pyetjen se çfarë është diskutuar gjatë vizitës së Netanyahut dhe nëse takimi ka përfshirë çështje të ndjeshme të sigurisë dhe zhvillimet e fundit në rajon.
Ndërsa autoritetet emiratase nuk kanë dhënë detaje konkrete për takimin, konfirmimi për ekzistencën e kanaleve të drejtpërdrejta të komunikimit me Izraelin tregon se kontaktet mes dy vendeve vazhdojnë edhe në një klimë të tensionuar rajonale.
Vizita e Netanyahut në Emiratet e Bashkuara Arabe, e mbështjellë me heshtje zyrtare dhe deklarata të kufizuara, po kthehet në çështje ditore mbi atë që është diskutuar pas dyerve të mbyllura. Vizita vjen në një moment kritik në Lindjen e Mesme, ku lufta me Iranin vijon.
Mediat kanë raportuar se Netanyahu ka qenë në Emirate, me qëllim që t’i kërkojë presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed, që të mohojë një raportim sipas të cilit ai e kishte paralajmëruar kryeministrin izraelit për një sulm të mundshëm të Hamasit përpara 7 tetorit 2023.
Gazeta, duke iu referuar burimeve të paidentifikuara, raportoi se Netanyahu i kërkoi bin Zayed-it të mohonte raportimet mbi një bisedë telefonike mes tyre dhe detajet që lidhen me zhvillimet para sulmit të 7 Tetorit.
Megjithatë, raportimi mbetet në formën e aludimeve.











