Largimi i Cristiano Ronaldos nga grumbullimi i Portugalisë duket se lidhet drejtpërdrejt me prishjen e marrëdhënies së tij me trajnerin Jorge Jesus.
Sipas “AS”, Ronaldo është ndier i tradhtuar nga trajneri, pasi ky i fundit nuk ka respektuar atë që ishte diskutuar mes tyre gjatë një takimi ku ishte i pranishëm edhe presidenti i Federatës Portugeze, Pedro Proença.
Raportohet se Jorge Jesus i kishte kërkuar falje privatisht Ronaldos dhe i kishte premtuar se do ta bënte të njëjtën gjë publikisht përpara mediave. Megjithatë, deklaratat e tij në konferencën për shtyp nuk e bindën 41-vjeçarin.
“Cristiano ishte i zemëruar me mua, por kjo tashmë i përket së kaluarës. Unë jam trajneri dhe vendos kush luan. Asnjë lojtar nuk mund të më ndryshojë mendjen”, deklaroi Jorge Jesus.
Tensioni kishte nisur pas ndeshjes ndaj Norvegjisë, kur Ronaldo u nxeh për rreth 30 minuta, por në fund nuk u aktivizua. Sipas raportimeve, kjo situatë ishte një nga pikat që çoi në përplasjen mes kapitenit dhe trajnerit.
Edhe përpjekjet e fundit të Federatës për ta bindur Ronaldon të qëndronte nuk dhanë rezultat. Sulmuesi u largua nga grumbullimi dhe më pas reagoi në rrjetet sociale duke paralajmëruar: “Në momentin e duhur do të tregoj të vërtetën.”











