Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Progresive Serbe në Parlamentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se në rast se dikush tenton ta arrestojë, do të nisë grevën e urisë, duke pretenduar se një veprim i tillë do të nxiste daljen e një milion njerëzve në rrugë.
Ai ka folur edhe për mundësinë e pjesëmarrjes së SNS-së në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Vuçiç, ka deklaruar se nuk ka ndërmend të largohet apo të fshihet dhe se, në rast të një tentative për arrestimin e tij, do të hyjë në grevë urie. Ai ka komentuar edhe situatën politike në Serbi, shumicën parlamentare të Listës Studentore dhe mundësinë e arrestimit të tij.
“E çfarë do të bëni atëherë me një milion njerëz në rrugë, në sekondën kur kjo të ndodhte? Unë nuk jam Marinika Tepiq dhe Bosko Obradoviq që të bëj shaka duke ngrënë ëmbëlsira në mbrëmje dhe fruta gjatë ditës. Nuk kam asnjë problem. Ata menduan se do të ikja, se do të fshihesha”, ka deklaruar Vuçiç.
Ai ka kritikuar gjithashtu përfaqësuesit e Listës Studentore, duke pretenduar se synimi i tyre është t’u bëjnë dëm njerëzve që nuk i pëlqejnë. Ndërkohë duke folur edhe për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Serbi, tha se personalisht është më shumë për opsionin që SNS të mos marrë pjesë në to. Sipas tij, pjesëmarrja në zgjedhje në rrethanat aktuale do t’u jepte legjitimitet kundërshtarëve politikë.
“Pse do ta bënim këtë, derisa njerëzit tanë po përndiqen, keqtrajtohen dhe ngacmohen?”, ka deklaruar ai, duke shtuar se partia mund të marrë edhe një vendim ndryshe.
Vendimi përfundimtar, sipas tij, do të merret në kuvendin e SNS-së më 13 dhjetor. Vuçiç ka bërë të ditur gjithashtu se në kryesinë e partisë pritet të ketë ndryshime dhe përfshirje të rreth 1.000 anëtarëve të rinj në Këshillin Kryesor.
Vuçiç ka bërë të ditur gjithashtu se një ditë më parë kishte marrë një kërcënim me vdekje nga grupi kriminal i njohur si “Klani i Vraçarit”.
Ai ka pretenduar se nuk ka ndërmend ta raportojë rastin në polici, pasi, sipas tij, nuk ka besim në institucionet policore. Ndërkohë, duke folur për rezultatin zgjedhor të SNS-së, Vuçiç ka thënë se partia mund ta përmirësojë performancën në zgjedhjet e ardhshme, por fillimisht duhet t’i pranojë gabimet e veta dhe të ndryshojë qasjen politike.











