Désiré Doué ka shqetësuar Paris Saint-Germain pas një dëmtimi të rëndë të pësuar në gjurin e djathtë gjatë ndeshjes ndaj Nice.
Sulmuesi francez u dëmtua në pjesën e parë, teksa tentoi të ndryshonte drejtim me topin. Gjuri iu përdredh në mënyrë të fortë dhe Doué kërkoi menjëherë zëvendësimin, ndërsa u largua nga fusha me barrelë dhe në dhimbje të dukshme.
Lojtari pritet t’u nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore për të përcaktuar shkallën e dëmtimit, por situata duket serioze. Trajneri Luis Enrique e konfirmoi shqetësimin pas ndeshjes, duke theksuar se duhet pritur rezultati përfundimtar i testeve.
“Duhet të presim ekzaminimet, por është e qartë se bëhet fjalë për një dëmtim serioz. Kam folur me të dhe tani duhet të presim për të kuptuar saktësisht çfarë ka ndodhur”, deklaroi trajneri i PSG-së.
Doué kishte qenë vendimtar edhe në këtë takim, duke kontribuar në golin e dytë të parisienëve. Në rast se konfirmohen parashikimet më të këqija, PSG mund ta humbasë atë për pjesën e mbetur të sezonit, ndërsa në dyshim serioz do të ishte edhe prania e tij me Francën në ndeshjet e marsit.
Për Luis Enrique do të ishte një tjetër goditje e rëndë, pas dëmtimit të Kvaratskhelias në Champions League.











