Një 50-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e autoriteteve franceze, pasi në kamionin që drejtonte u zbulua një sasi prej 114.6 kilogramësh kokainë.
Droga u sekuestrua nga shërbimet doganore gjatë një kontrolli në pikën e pagesës së autostradës në Arles, gjatë natës mes 18 dhe 19 nëntorit.
Sipas mediave franceze, kamioni me targa italiane po transportonte mallra për llogari të një rrjeti të madh tregtar, kryesisht produkte ushqimore. Automjeti u ndalua pak pas mesnatës nga doganierët për një kontroll, i cili çoi në zbulimin e lëndës narkotike.
Gjatë verifikimit të kamionit, efektivët gjetën kokainën të fshehur në mbajtësen e bobinave, një pjesë e automjetit që përdoret për stabilizimin e ngarkesës. Pas kontrollit të plotë, autoritetet arritën të sekuestronin gjithsej 114.6 kilogramë kokainë.
Menjëherë pas zbulimit të drogës, drejtuesi shqiptar u arrestua dhe më pas iu dorëzua Zyrës Kundër Trafikut të Narkotikëve (OFAST), pranë policisë gjyqësore në Marsejë. Ai është lënë në paraburgim në pritje të procedurave gjyqësore.
Gjatë marrjes në pyetje, 50-vjeçari ka mohuar përfshirjen në trafikimin e lëndëve narkotike, duke pretenduar se nuk kishte dijeni për sasinë e kokainës së fshehur në automjet. Sipas deklarimeve të tij, droga ishte vendosur në kamion pa dijeninë dhe pa miratimin e tij.
Mediat franceze bëjnë me dije se shqiptari nuk rezulton të ketë precedentë penalë dhe nuk ka qenë më parë i njohur për autoritetet e drejtësisë në Francë. Ai pritet të dalë përpara Gjykatës së Tarasconit këtë të martë, më 24 nëntor, ku do të përballet me procedurën e gjykimit të menjëhershëm.
Ndaj 50-vjeçarit janë ngritur akuza për mbajtje, transport dhe importim të lëndëve narkotike, si dhe për transport të mallrave të ndaluara në kundërshtim me legjislacionin doganor francez. Hetimet pritet të hedhin dritë mbi origjinën e kokainës dhe personat që mund të kenë organizuar transportin e saj.











