Manchester City vazhdon momentin negativ në Premier League, pasi barazoi 1-1 ndaj Fulham në “Etihad Stadium”, duke regjistruar ndeshjen e katërt radhazi në kampionat pa fitore.
Miqtë kaluan të parët në avantazh pas vetëm 15 minutash. Ish-lojtari i Cityt, Bobb, nisi aksionin nga krahu i djathtë dhe asistoi për Muniz, i cili kontrolloi topin dhe realizoi me një goditje të bukur.
City mendoi se kishte barazuar vetëm tetë minuta më vonë. Pas një aksioni mes Foden dhe Ndiaye, Haaland e dërgoi topin në rrjetë pas ndërhyrjes së portierit Leno, por goli u anulua pasi norvegjezi goditi topin ndërkohë që ai ishte ende nën kontrollin e portierit.
Skuadra vendase u përmirësua pas pushimit dhe arriti barazimin pak para minutës së 60-të. Pas një goditjeje këndi të ekzekutuar nga Foden, Berge largoi topin, por ai përfundoi te Anderson, i cili realizoi me një goditje të fuqishme nga jashtë zonës për golin e tij të parë në Premier League me Cityn.
Megjithatë, reagimi i Cityt u ndal aty. Në 20 minutat e fundit vendasit nuk arritën të krijonin raste serioze, ndërsa Fulham ishte disa herë pranë golit të fitores.
Donnarumma u bë vendimtar me disa pritje, duke ndalur fillimisht Muniz dhe më pas Bassey. Në fund, rezultati mbeti 1-1, ndërsa tifozët e Cityt shprehën pakënaqësinë e tyre me fishkëllima pas përfundimit të ndeshjes.
Manchester City mbetet pa fitore për të katërtën ndeshje radhazi në Premier League, duke humbur edhe më shumë terren në garën për titull.











