Arsenali ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës së Mikel Artetës deri në vitin 2030, duke siguruar të ardhmen e trajnerit spanjoll në “Emirates Stadium”.
Kontrata e mëparshme e Artetës skadonte në qershor të vitit 2027, por klubi londinez dhe tekniku kishin qenë prej kohësh të qartë se bashkëpunimi do të vazhdonte. Tashmë marrëveshja e re është bërë zyrtare.
Arteta mori drejtimin e Arsenalit në dhjetor të vitit 2019 dhe që prej atëherë ka rindërtuar projektin e “Topçinjve”, duke i rikthyer mes skuadrave më të forta në Angli dhe Europë.
Nën drejtimin e tij, Arsenali ka fituar FA Cup, dy Community Shield dhe mbi të gjitha Premier League në sezonin 2025-2026, titulli i parë në kampionat që prej sezonit 2003-2004.
Tekniku spanjoll numëron tashmë 360 ndeshje në stolin e Arsenalit dhe është trajneri më jetëgjatë aktualisht mes katër kategorive kryesore të futbollit anglez.
Marrëveshja e re pritet t’i sjellë Artetës edhe një rritje të konsiderueshme page. Kontrata e tij e mëparshme parashikonte rreth 10 milionë paund bazë, plus 5 milionë të tjera në vit, shifër që kalonte 17 milionë euro.
Pas triumfit në Premier League, objektivi i madh i radhës mbetet Champions League. Arsenali iu afrua trofeut sezonin e kaluar, por u mposht nga PSG në finalen e Budapestit pas penalltive.
“Faleminderit shumë që keni përgatitur gjithë këtë, është e pabesueshme”, u shpreh Arteta në videon e publikuar nga klubi për rinovimin e kontratës.
Tashmë projekti i Arsenalit vazhdon me Artetën në qendër, me objektivin për të shtuar trofe të tjerë dhe për ta mbajtur skuadrën në majat e futbollit anglez dhe europian.











