Jamal Musiala është rikthyer në qendër të shqetësimeve te Bayern Munich, pasi sipas Bild ka pësuar një tjetër episod të fikti, i lidhur me problemin neurologjik që prej muajsh po ndikon në gjendjen e tij.
Ky është rasti i dytë që prej kolapsit të tij gjatë një ndeshjeje miqësore në mesin e gushtit. Sipas raportimeve, stafi mjekësor i Bayernit ende po përballet me vështirësi për të gjetur trajtimin e duhur që mund ta kontrollojë gjendjen pa ndikuar negativisht në performancën e lojtarit.
Situata ka sjellë edhe debat brenda klubit për të ardhmen e 23-vjeçarit. Karl-Heinz Rummenigge ka pranuar publikisht se ekzistojnë dyshime nëse Musiala do të arrijë të rikthehet në nivelin e tij të mëparshëm, duke theksuar se klubi duhet të diskutojë situatën me familjen dhe përfaqësuesit e futbollistit.
Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv Jan-Christian Dreesen ka kërkuar më shumë durim, duke nënvizuar se Musialës duhet t’i jepet koha e nevojshme për rikuperim.
Reagimi më i fortë ka ardhur nga FIFPRO, që ka kritikuar drejtuesit e Bayernit për deklaratat publike mbi kontratën e lojtarit. Sindikata ndërkombëtare e futbollistëve ka kërkuar që klubi të mbrojë Musialën gjatë rikuperimit dhe që çdo diskutim për të ardhmen e tij kontraktuale të zhvillohet në privatësi.











