Policia e Kosovës ka pezulluar 11 zyrtarë policorë lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra në Vitomiricë të Pejës.
Më herët, Këshilli Prokurorial i Kosovës pezulloi nga detyra edhe kryeprokuroren e Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren Arlinda Nallbani-Gacaferri.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, pezullimet janë kryer pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), ndërsa ndaj zyrtarëve ka nisur një hetim paraprak për veprimet ose mosveprimet e tyre në trajtimin e rastit.
Mes zyrtarëve të pezulluar janë ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i Hetimeve Rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i Stacionit Policor të Pejës, si dhe drejtues të tjerë të strukturave policore. Masat përfshijnë gjithashtu katër hetues policorë të këtij stacioni.
Policia e Kosovës bëri të ditur se pezullimet janë ndërmarrë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përcaktimit të përgjegjësive individuale në trajtimin e rastit.
Ndërkohë, edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës ka pezulluar nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore të Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren Arlinda Nallbani-Gacaferri, në kuadër të zhvillimeve që lidhen me rastin.
Hetimet vijojnë për të sqaruar nëse ka pasur shkelje apo mangësi institucionale në trajtimin e çështjes.











