Milan dhe Inter kanë përcaktuar afatet kryesore për ndërtimin e stadiumit të ri, me objektivin që impianti të jetë gati përpara Euro 2032.
Sipas planit aktual, punimet për stadiumin e ri pritet të nisin në gjysmën e dytë të vitit 2027, pas përfundimit të sezonit. Ndërtimi do të zhvillohet në zonën e parkimit pranë stadiumit aktual, ndërsa Milan dhe Inter do të vazhdojnë të luajnë në “San Siro”-n ekzistues.
Për disa vite, dy stadiumet do të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit: njëri do të jetë ende në përdorim, ndërsa tjetri do të jetë në ndërtim.
Skenari më i mundshëm parashikon që stadiumi i ri të hapet gjatë vitit 2031, me testimet e para që mund të zhvillohen në pranverë. Kjo do të thotë afërsisht katër vite punime.
Pas përfundimit të impiantit të ri, pjesa më e madhe e stadiumit aktual “Giuseppe Meazza” pritet të çmontohet brenda rreth një viti. Megjithatë, disa pjesë të tij mund të ruhen, përfshirë një pjesë të tribunës portokalli dhe të Curva Sud, të cilat mund të përdoren për aktivitete tregtare, muze apo funksione të tjera.
Një nga arsyet kryesore të këtij kalendari është Euro 2032, që do të organizohet nga Italia dhe Turqia.
Federata Italiane e Futbollit i ka dërguar UEFA-s dosjen me 13 qytete dhe 14 stadiume kandidate. UEFA pritet të bëjë vlerësimin në vitin 2027, përpara se të përzgjidhen pesë stadiumet italiane që do të presin ndeshjet e turneut.
Milano synon që stadiumi i ri i Milanit dhe Interit të jetë një prej tyre.











