Kanë kaluar dy vite nga mesazhi i famshëm i Vinícius Junior pas humbjes së Topit të Artë 2024 ndaj Rodrit: “Do ta bëj 10 herë më shumë nëse është e nevojshme. Ata nuk janë gati”.
Braziliani premtonte se do të ngrinte nivelin e tij për të fituar çmimin në të ardhmen, por statistikat e dy viteve të fundit tregojnë një realitet tjetër.
Nga 28 tetori 2022 deri më 28 tetor 2024, Vinícius zhvilloi 92 ndeshje, shënoi 47 gola dhe dha 33 asistime. Në dy vitet pasuese ai ka luajtur më shumë, 107 ndeshje, por ka realizuar vetëm 37 gola dhe 29 asistime.
Mesatarja e golave ka rënë nga 0.51 për ndeshje në 0.34. Edhe ndikimi i tij direkt në gola ka pësuar rënie të ndjeshme.
Një tjetër ndryshim i madh shihet te driblimet. Në periudhën 2022-24, Vinícius tentonte rreth tetë driblime për ndeshje dhe kompletonte katër. Në dy vitet e fundit, ai tenton vetëm katër dhe realizon më pak se dy.
Numri i goditjeve mbetet relativisht i ngjashëm, por efikasiteti dhe aftësia për të eliminuar kundërshtarin në duele individuale kanë rënë.
Edhe aspekti disiplinor është përkeqësuar. Vinícius ka marrë vetëm dy kartonë të kuq në karrierën e tij me ekipin e parë të Real Madridit dhe të dy kanë ardhur pikërisht në dy vitet e fundit: ndaj Valencias në janar 2025 dhe së fundmi kundër Villarrealit.
Dy vite pas premtimit të tij të famshëm, Vinícius ende nuk e ka fituar Topin e Artë dhe statistikat tregojnë se, në shumicën e treguesve kryesorë, ai është larg versionit të tij më të mirë.











