Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka akuzuar mazhorancën se po e bazon reformën administrativo-territoriale në pazare politike dhe jo në kritere të qarta.
Gjatë diskutimeve në Kuvend, pas prezantimit të projektit nga Arbjan Mazniku, Bardhi deklaroi se opozita kishte paraqitur 53 pyetje, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje.
Ai kërkoi sqarime për kriteret mbi të cilat është vendosur që disa bashki të ruhen dhe të tjera të bashkohen.
“Deputetët e opozitës u paraqitën nismëtarëve 53 pyetje, nga të cilat morëm 0 përgjigje. Kjo tregon shumë për cilësinë e projektit që është sjellë sot në seancë plenare. Mazniku duhet të na i shpjegojë këtu me parametra e tabelë se i ka shumë qejf, si janë parametrat e Divjakës dhe Vaut të Dejës. A ndjek kjo reformë parim e standarde? Të vijë e të na i shpjegojë.
Procesi i dëgjimit duhet të përfshijë si kusht minimal qytetarët e zonave që preken nga reforma dhe një proces diskutimi ku jo vetëm të paraqitet varianti përfundimtar që do të miratohet, por të jetë i hapur për ndryshime sipas sugjerimit të komuniteteve. Sugjerim i certifikuar me vendim të këshillit bashkiak të 15 bashkive, është që nuk duan të bashkohen. Keni detyrim kushtetues të dëgjoni mendimin e tyre. Kriteri juaj janë pazaret politike”, tha Bardhi.
Sipas tij, mazhoranca ka shpërfillur qëndrimin e këshillave bashkiakë të 15 bashkive që kundërshtojnë bashkimin, ndërsa kërkoi që qytetarët të përfshihen në procesin e konsultimit përpara miratimit të reformës.











