Mbledhjet familjare gjatë festave mund të shoqërohen edhe me pyetje që shumë njerëz do të preferonin t’i shmangnin, nga komentet për peshën dhe pamjen, te marrëdhëniet, karriera, pagat apo planet për martesë dhe fëmijë. Ekspertët e marrëdhënieve dhe psikologët këshillojnë që në vend të reagimeve impulsive, njerëzit të përgatiten paraprakisht për mënyrën se si do t’i përgjigjen komenteve të tilla.
Një nga mënyrat më efektive është vendosja e kufijve pa qenë agresivë. Për pyetje tepër personale, mund të përdoren përgjigje të shkurtra si “Kur të kem diçka për të ndarë, do t’ju tregoj” ose “Nuk do të doja ta diskutonim këtë temë sot”. Një alternativë tjetër është ndryshimi i bisedës me humor ose duke e orientuar atë drejt një teme tjetër, pa e kthyer tryezën festive në debat.
Nëse komentet vazhdojnë edhe pasi është shprehur qartë pakënaqësia, psikologët sugjerojnë të mos ndihet detyrim për të dhënë shpjegime të pafundme. Ndonjëherë, largimi nga biseda është mënyra më e mirë për të ruajtur qetësinë. Mesazhi i ekspertëve është se festat nuk duhet të kthehen në një provim të jetës personale dhe askush nuk është i detyruar t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve vetëm për të shmangur pakënaqësinë e të tjerëve.











