Demokratët që pritet të marrin kontrollin e Kongresit amerikan po përgatisin një valë hetimesh ndaj presidentit Donald Trump, familjes së tij dhe zyrtarëve të administratës. Rikthimi i tyre në shumicë në të dy dhomat e Kongresit do t’u japë fuqi më të mëdha për të kërkuar dokumente, thirrur dëshmitarë dhe hetuar vendimet e qeverisë.
Mes çështjeve që pritet të jenë në fokus janë pasuritë dhe bizneset e familjes Trump, marrëdhëniet me Elon Musk dhe aktivitetet e DOGE, operacionet e emigracionit, trajtimi i dosjeve të Jeffrey Epstein, sulmet ndaj kundërshtarëve politikë, kontratat qeveritare, si dhe vendimet për luftën me Iranin. Demokratët duan të shqyrtojnë gjithashtu sulmet ushtarake ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge dhe mënyrën se si janë marrë vendimet për ndërhyrjet e SHBA-së jashtë vendit.
Megjithatë, partia përballet me dilemën se sa larg duhet të shkojë në këto hetime. Sondazhet tregojnë se një pjesë e amerikanëve shqetësohen se demokratët mund të përqendrohen tepër te hetimet politike, në vend të ekonomisë dhe kostos së jetesës. Për këtë arsye, drejtuesit e partisë po përpiqen t’i lidhin hetimet me çështje që prekin drejtpërdrejt qytetarët, ndërsa republikanët i kanë cilësuar përpjekjet si hakmarrje politike.











