Diego Simeone ka vendosur një rekord të ri në La Liga pas fitores 3-0 të Atletico Madrid ndaj Getafes.
Ky ishte suksesi i 345-të i trajnerit argjentinas në kampionatin spanjoll, duke kaluar rekordin e mëparshëm të Luis Aragonés, i cili kishte arritur 344 fitore.
Simeone e vendosi rekordin në ndeshjen e tij të 567-të në La Liga, ndërsa Aragonés kishte nevojitur 189 ndeshje më shumë për të arritur shifrën e tij.
“Më bën të lumtur. Nuk gjej shpesh shumë gjëra për t’u gëzuar, por pas këtij rekordi ka një punë të jashtëzakonshme”, deklaroi Simeone pas ndeshjes.
Trajneri 56-vjeçar reagoi edhe ndaj kritikave të vazhdueshme se Atletico është një skuadër tepër mbrojtëse.
“Thuhet gjithmonë se jemi një skuadër që vetëm mbrohet. Por nuk fiton 345 ndeshje vetëm duke u mbrojtur. A është e mundur kjo?”, u shpreh ai.
Simeone drejton Atletico Madrid që prej dhjetorit të vitit 2011 dhe gjatë kësaj periudhe ka fituar dy tituj të La Ligës, dy Europa League, dy Superkupa të Europës dhe një Copa del Rey.
Kontrata e tij përfundon në fund të këtij sezoni, ndërsa mbetet për t’u parë nëse aventura e gjatë e argjentinasit në Madrid do të vazhdojë edhe më tej.











