Detaje të reja kanë dalë në pah nga vrasja e ndodhur ditën e djeshme në Tiranë, në zonën “Zogu i Zi”, ku 68-vjeçari Hysni Patushi qëlloi për vdekje me thikë bashkëshorten e tij, Lumturie Patushin, ngjarje e ndodhur për motive të dobëta, para nipërve të tyre të mitur.
“Alo, Policia, gjyshja ka vdekur!” ka qenë telefonata që ka mbërritur në sallën operative të Policisë së Tiranës, çka bëri që efektivët të nisen me shpejtësi në zonën e Zogut të Zi, raporton gazetarja Klodiana Lala.
Personi që njoftoi policinë për ngjarjen e tmerrshme që pa me sytë e tij së bashku me vëllain 8 vjeç, mësohet se ka qenë nipi 14-vjeçar i çiftit, ngjarja mes të cilëve dje shokoi mbarë opinionin publik.
Me të mbërritur në vendngjarje, efektivët kanë gjetur të mbuluar nga gjaku 58-vjeçaren Lumturie Patushin, e cila qëllua për vdekje me thikë nga bashkëshorti i saj Hysni, i cili dyshohet se nën efektin e alkoolit, pas një debati të ashpër me të e ka goditur pa mëshirë, duke i marrë jetën në vend.
Ashtu siç kemi raportuar dhe dje, ngjarja e rëndë ndodhi në prezencën e nipërve të dyshes, të cilët pasi kanë përjetuar debatin e ashpër të gjyshërve të tyre, kanë parë me sy vrasjen e gjyshes. Pasi qëlloi për vdekje me thikë gruan e tij, mësohet se Hysni Patushi tentoi të humbte gjurmët duke u zhdukur nga vendngjarja. Për pak minuta ai u zhvendos nga shtëpia e vajzës së tij, në zonëne Zogut të Zi, në drejtim të Kamzës, ku tentoi të fshihej te një i afërm i tij.
Mirëpo ky i fundit e nxori zbuluar pasi njoftoi menjëherë Policinë, e cila u nis me shpejtësi drejt Kamzës ku dhe u vendos në pranga 68-vjeçari Hysni Patushi.
Autori i ngjarjes, i cili vrau gruan me thikë para syve të nipërve të tyre, ka thënë para hetuesve se e qëlloi bashkëshorten e tij sepse kjo e fundit e ka gënjyer për vendndodhjen e saj. Pas një telefonate të shkëmbyer së bashku para momentit të krimit, mësohet se Lumturia i ka thënë Hysniut se ishte në një qendër tregtare, ndërkohë që viktima ndodhej te shtëpia e vajzës së saj duke u kujdesur për nipërit.
Po ashtu mësohet se Hysni Patushi rezulton të ketë qenë i arrestuar dhe më parë. Në 2017, ai kishte rënë në pranga pasi akuzohej për dhunë në familje, ndaj bashkëshortes së tij.
Ndërsa dje Hysniu u arrestua për herë të dytë, e tani ndaj 68-vjeçarit rëndon akuza e vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare. Hysni Patushi pritet të dalë të hënën para Gjykatës së Tiranës për caktimin e masës së sigurisë.











