Presidenti amerikan Donald Trump ka pranuar se disa prej politikave të tij, përfshirë luftën në Iran dhe fushatën e ashpër të dëbimeve të emigrantëve, kanë ndikuar negativisht në rezultatin e republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit. Në një intervistë për emisionin “60 Minutes” të CBS, ai pranoi gjithashtu se partia e tij nuk arriti të përcillte siç duhet mesazhin te votuesit.
I pyetur për të ardhmen e lëvizjes MAGA pas largimit të tij nga Shtëpia e Bardhë, Trump u shpreh se ajo mund të vazhdojë edhe pa të, pasi sipas tij përfaqëson një ideologji të bazuar te siguria kufitare, ushtria e fortë dhe fuqizimi ekonomik i SHBA-së.
Duke folur për humbjen e republikanëve në zgjedhjet e 3 nëntorit, presidenti përmendi si faktorë ndikues luftën në Iran, rritjen e çmimeve të karburanteve dhe pakënaqësinë e një pjese të votuesve ndaj Izraelit. Ai pranoi gjithashtu se politika e ashpër e dëbimeve mund t’i ketë kushtuar politikisht.
“Besoj se ishte shumë e ashpër. Në fund, kjo më dëmtoi”, deklaroi Trump, duke lënë të kuptohet se një pjesë e emigrantëve që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në SHBA duhet të kenë mundësi të qëndrojnë.
Sa i përket Iranit, Trump mbrojti ndërhyrjen ushtarake amerikane, duke deklaruar se do ta përsëriste të njëjtin vendim për të penguar Teheranin të sigurojë armë bërthamore.
Ai tha se nuk është penduar për operacionet dhe se marrëdhënia me zëvendëspresidentin JD Vance nuk është cenuar, pavarësisht komenteve të këtij të fundit mbi ndikimin e luftës në rezultatin zgjedhor.
Në lidhje me Ukrainën, presidenti amerikan la të kuptohet se një marrëveshje paqeje me Rusinë mund të përfshijë ndryshime territoriale. “Ukraina do të përfundojë me një formë paksa të ndryshme”, u shpreh ai, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Trump foli edhe për të ardhmen politike të republikanëve në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, duke përmendur si figura të mundshme pasardhëse JD Vance dhe sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, pa deklaruar se kë do të mbështesë.
Një moment i veçantë i intervistës ishte edhe përgjigjja e tij për faljen e kundërshtarëve politikë. I pyetur nëse do të mund t’i falte ata për të hyrë në Parajsë, Trump u përgjigj se nuk mund ta bëjë këtë, duke pranuar se urren disa prej kundërshtarëve të tij dhe se kjo ndjenjë mund të mos ndryshojë.
Në intervistë u diskutuan gjithashtu çështje të inteligjencës artificiale, marrëdhëniet me Kinën, interesat e tij ekonomike dhe pretendimet për objekte fluturuese të paidentifikuara (UFO).
Trump theksoi se SHBA-ja nuk duhet të mbetet pas Kinës në garën për inteligjencën artificiale, ndërsa për UFO-t tha se ka dëgjuar dëshmi nga pilotë ushtarakë për objekte me lëvizje të pazakonta, por se nuk ka prova për ekzistencën e një programi sekret qeveritar.











