Bruno Fernandes ka konfirmuar se Manchester United i ka ofruar një kontratë të re, por kapiteni portugez mendon se ky nuk është momenti i duhur për të diskutuar të ardhmen e tij.
Mesfushorit 32-vjeçar i përfundon kontrata në fund të sezonit, megjithëse klubi ka mundësinë ta zgjasë marrëveshjen edhe me 12 muaj të tjerë.
Fernandes ka bërë të qartë se nuk ka negociata aktive për momentin dhe ka hedhur poshtë zërat se po kërkon më shumë para ose më shumë vite kontratë. Ai theksoi se në sezonet e fundit ka pasur mundësi të largohet për oferta më të larta financiarisht, por gjithmonë ka zgjedhur të qëndrojë në “Old Trafford”.
“Klubi më ka ofruar një kontratë të re dhe kjo tregon se ata duan që unë të qëndroj. Por nuk mendoj se është momenti i duhur për negociata. Gjëja më e rëndësishme tani është që skuadra të rikthehet te fitoret”, deklaroi Fernandes.
Kapiteni i United foli edhe për periudhën me Michael Carrick, duke sqaruar se nuk ka pasur asnjë konflikt mes tyre, pavarësisht se ishte lënë jashtë formacionit në një ndeshje të fundit.
Manchester United po kalon një moment shumë të vështirë në kampionat dhe Fernandes duket se ka vendosur ta lërë çështjen e kontratës në plan të dytë, duke e vendosur fokusin te rikthimi i rezultateve pozitive.











