Banka sllovene NLB mund të zgjerojë praninë e saj në Ballkanin Perëndimor përmes hyrjes në tregun shqiptar, ku po qarkullojnë diskutime për një blerje të mundshme në sektorin bankar. Sipas burimeve jozyrtare nga tregu bankar, ndër emrat që përmenden në këtë kontekst janë Raiffeisen Bank Albania dhe Fibank Albania.
Deri më tani, nuk ka një konfirmim zyrtar për identitetin e bankës që mund të jetë në fokus të interesit të NLB-së, dhe as për ekzistencën e negociatave konkrete me ndonjërën prej tyre. Nuk përjashtohet mundësia që grupi slloven të shqyrtojë disa alternativa përpara se të marrë një vendim përfundimtar, i cili do të duhej të ndiqte edhe procedurat përkatëse rregullatore, përfshirë miratimet e nevojshme nga Banka e Shqipërisë.
Shqipëria mbetet tregu i vetëm në Ballkanin Perëndimor ku grupi NLB nuk operon përmes një banke. Hyrja në tregun shqiptar do të plotësonte shtrirjen e tij rajonale dhe do t’i krijonte mundësi për të forcuar më tej pozicionin në Evropën Juglindore.
Interesi për tregun shqiptar është shprehur edhe nga presidenti i bordit drejtues të NLB-së, Blaž Brodnjak. Në shtator, ai deklaroi se banka do ta shqyrtonte me seriozitet mundësinë e blerjes së një banke në Shqipëri.
“Nëse lind një mundësi për të blerë një bankë në muajt në vijim, ne me siguri do ta marrim shumë seriozisht”, u shpreh Brodnjak, duke lënë të hapur mundësinë e zgjerimit përmes një blerjeje.
Raiffeisen Bank Albania është një nga bankat kryesore në vend dhe pjesë e grupit austriak Raiffeisen Bank International. Grupi hyri në tregun shqiptar në vitin 2004, përmes blerjes së Bankës së Kursimeve.
Ndërkohë, Fibank Albania është pjesë e grupit bullgar First Investment Bank, i cili gjithashtu operon në tregun bankar shqiptar.
Një hyrje e mundshme e NLB-së do të shënonte një zhvillim të rëndësishëm për sektorin bankar vendas, duke sjellë një tjetër grup financiar rajonal në një treg ku konkurrenca dhe konsolidimi mbeten çështje me rëndësi. Megjithatë, deri në një njoftim zyrtar, Raiffeisen Bank Albania dhe Fibank Albania mbeten vetëm emra të përmendur nga burime jozyrtare, pa konfirmim se ndonjëra prej tyre është objekt i një procesi konkret shitjeje apo negociatash me NLB-në.











