Një gol që mund të ndryshojë të ardhmen e Endrick. Sulmuesi brazilian ishte një nga protagonistët e përmbysjes së Real Madridit ndaj Romës në Champions League dhe paraqitja e tij ka rikthyer në qendër të vëmendjes të ardhmen e 20-vjeçarit.
Endrick kishte grumbulluar vetëm katër minuta në kampionat para mbrëmjes në “Olimpico”, por ndaj Romës hyri në minutën e 59-të dhe ndryshoi ritmin e sulmit madrilen me shpejtësinë dhe agresivitetin e tij.
Në minutën e 83-të, goditja e tij me kokë detyroi Gollinin të ndërhynte, përpara se Carlos Espí të shënonte për 3-2. Vetëm dy minuta më vonë, Endrick realizoi vetë golin e barazimit, sërish me kokë pas një goditjeje këndi të Arda Güler. Braziliani u shpall edhe lojtari i ndeshjes.
Paraqitja e tij mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe në merkaton e janarit. Sipas “Gazzetta dello Sport”, Milani vazhdon të jetë shumë i interesuar për Endrick dhe po shqyrton mundësinë e një huazimi deri në fund të sezonit.
Rúben Amorim vlerëson shumë karakteristikat e brazilianit, i cili mund të luajë si qendërsulmues, sulmues i dytë apo edhe në krahun e djathtë të repartit ofensiv.
Megjithatë, pengesa më e madhe për Milanin quhet José Mourinho. Trajneri portugez e ka bërë të qartë se nuk dëshiron ta humbasë lojtarin.
“Kushdo që është i interesuar për Endrick do të duhet të luftojë fort me mua”, kishte deklaruar Mourinho, duke theksuar se braziliani ka potencialin e nevojshëm për të luajtur te Real Madridi.
Endrick kaloi pjesën e dytë të sezonit të kaluar në huazim te Lyon, ku realizoi tetë gola në 21 paraqitje dhe fitoi sërish besim e vazhdimësi përpara rikthimit në Madrid.
Milani shpreson të përsërisë një formulë të ngjashme në janar, ndërsa nuk përjashtohet edhe mundësia e një marrëveshjeje me të drejtë blerjeje dhe kundërblerjeje në favor të Real Madridit.
Por pas asaj që Endrick tregoi në Romë dhe me Vinicius të pezulluar për katër ndeshje në LaLiga, largimi i brazilianit nga Madridi duket tashmë edhe më i komplikuar.











