Lothar Matthäus ka kritikuar ashpër Michael Olise pas përjashtimit të francezit në barazimin 3-3 të Bayern Munich ndaj Stavanger në Champions League.
Olise mori kartonin e parë të kuq në karrierën e tij profesioniste, pasi fillimisht kreu një faull dhe më pas goditi me top në fytyrë kapitenin kundërshtar Zlatko Tripic, pas një provokimi.
“Është e papranueshme. Edhe nëse arbitri nuk e sheh”, deklaroi Matthäus për “Bild”.
Legjenda gjermane pranoi se kundërshtarët shpesh përpiqen të nxjerrin nga loja futbollistë vendimtarë si Olise përmes kontakteve dhe provokimeve, por sipas tij francezi duhet të mësojë t’i menaxhojë më mirë këto situata.
“Sigurisht që përpiqen ta nxjerrin nga loja një lojtar të tillë me çdo mënyrë të mundshme. Por unë vazhdoj të mendoj se Olise lejoi veten të provokohej.”
Matthäus theksoi edhe pasojat që pati reagimi i tij për Bayern Munich, pasi norvegjezët arritën të barazonin në minutën e 90-të duke shfrytëzuar epërsinë numerike.
“Në fund, ai nuk dëmtoi vetëm veten, por mbi të gjitha skuadrën.”
Pavarësisht kritikave, Matthäus nuk mendon se Olise duhet të marrë një gjobë financiare. Sipas tij, episodi duhet të shërbejë si një mësim për lojtarin.
“Është një proces mësimi që çdo lojtar i ri duhet ta kalojë. Ai tashmë është ndëshkuar mjaftueshëm dhe e di që ka gabuar.”
Kartoni i kuq do të ketë pasoja edhe në Champions League, pasi Olise do të mungojë në ndeshjen e ardhshme të Bayern Munich në shtëpi ndaj Arsenalit.










