Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Tiranë, ku një 75-vjeçare ka humbur jetën pasi u përplas nga një motomjet në Rrugën e Dibrës.
Sipas policisë, aksidenti ndodhi rreth orës 19:35, ndërsa motomjeti drejtohej nga 20-vjeçari me inicialet E. M. Përplasja ka shkaktuar plagosjen e rëndë të këmbësores Sh. M., e cila u transportua me urgjencë në spital.
75-vjeçarja nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë rreth orës 22:40, disa orë pas aksidentit.
Edhe drejtuesi i motomjetit ka mbetur i dëmtuar nga përplasja dhe ndodhet në spital. Sipas policisë, 20-vjeçari është jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë kanë bërë arrestimin në flagrancë të drejtuesit të motomjetit, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.











