Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “INVESTING”, duke goditur një tjetër rast të dyshuar mashtrimi përmes platformave online.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar katër persona, ndërsa pronari i ambientit ku dyshohet se zhvillohej aktiviteti është shpallur në kërkim. Një 23-vjeçare është proceduar në gjendje të lirë.
Sipas policisë, ndërhyrja u krye në një ambient në rrugën e Kavajës, i përshtatur me poste pune, ku u kapën në flagrancë shtetasit Emirjon Xhafa, Genci Ndoni, Ekzon Dervishi dhe Eroll Hyslihaka, si dhe shtetasja E. A.. Ata dyshohet se mashtronin shtetas të vendeve të ndryshme të Bashkimit Europian përmes platformave online.
Nga hetimet paraprake rezultoi se ambienti ishte në pronësi të shtetasit Taulant Beleraj, 45 vjeç, i cili dyshohet se, në bashkëpunim me personat e tjerë, e administronte atë për zhvillimin e kësaj veprimtarie.
Në pranga u vunë Emirjon Xhafa, 40 vjeç, Genci Ndoni, 42 vjeç, Ekzon Dervishi, 32 vjeç dhe Eroll Hyslihaka, 31 vjeç. Ndërkohë, Taulant Beleraj, 45 vjeç, është shpallur në kërkim, ndërsa E. A., 23 vjeçe, do të ndiqet në gjendje të lirë.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale 13 njësi kompjuterike, 19 telefona celularë, 7 laptopë, si dhe materiale të tjera që dyshohet se lidhen me aktivitetin e paligjshëm.
Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë dhe përcaktimin e përgjegjësive të personave të përfshirë.











