Manchester United ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për të ardhmen e Michael Carrick, pas barazimit spektakolar 4-4 ndaj Aston Villas.
“Djajtë e Kuq” ndodhen në vendin e 18-të në Premier League dhe kanë regjistruar nisjen më të dobët të një sezoni në kampionat në 40 vitet e fundit.
Carrick ka drejtuar skuadrën në tri ndeshje që pas humbjes 3-0 ndaj Bournemouth, duke marrë një fitore, një barazim dhe një humbje. Drejtuesit e klubit planifikojnë ta shfrytëzojnë pushimin ndërkombëtar për të analizuar më qetë situatën.
Në favor të Carrick shihet reagimi i skuadrës, e cila në dy ndeshjet e fundit ka rikuperuar tri herë disavantazhin prej dy golash. Megjithatë, problemet në mbrojtje mbeten të mëdha.
United ka pësuar 19 gola në kampionat dhe 15 vetëm në tri ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet.
Pas humbjes ndaj Bournemouth, drejtuesit kishin shqyrtuar edhe alternativa si Eddie Howe dhe Julian Nagelsmann.
Carrick ka deklaruar se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të kalojë nga drejtuesit Omar Berrada dhe Jason Wilcox.
Pas pushimit ndërkombëtar, Manchester United rikthehet me një sfidë shumë të vështirë në “Anfield” ndaj Liverpoolit më 22 nëntor.











