Eldi Dizdari, i njohur edhe me emrin Denis Matoshi dhe pseudonimin “Shqiptari i gjatë”, është ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Belgjikës, ku është transferuar menjëherë në një institucion penitenciar.
Lajmi është konfirmuar nga ministrja belge e Drejtësisë, Annelies Verlinden, e cila e cilësoi ekstradimin si një tjetër bashkëpunim mes Belgjikës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe kundër krimit të organizuar të drogës.
“Së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe, ne po tregojmë se nuk ka strehë të sigurta për kriminelët e drogës”, deklaroi Verlinden.
I dënuar me 10 vite burg
Dizdari është dënuar nga drejtësia belge me 10 vite burg për përfshirjen në trafikun e drogës. Ai është konsideruar një prej figurave të rëndësishme të organizatës kriminale “Kompania Bello”, ku pjesë e saj ka qenë edhe Dritan Gjika.
Sipas hetimeve të autoriteteve shqiptare, grupi dyshohet se ka qenë i përfshirë në transportimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian. Në kuadër të hetimeve, SPAK ka deklaruar se bëhej fjalë për të paktën 50 tonë kokainë.
Nga Dubai në burgun belg
Matoshi u nis të mërkurën nga Emiratet e Bashkuara Arabe me avion dhe, pas disa orësh, mbërriti në aeroportin ushtarak të Melsbroek në Belgjikë.
Pas zbritjes nga avioni, autoritetet belge e shoqëruan drejt burgut, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga gjykata e Anversës.
37-vjeçari njihet gjithashtu me pseudonimin “Alduth” dhe është përmendur në dosjet e hetimeve për trafikun ndërkombëtar të drogës.
Hetimi pasuror në Shqipëri
Emri i Eldi Dizdarit ka dalë edhe në hetimet pasurore të zhvilluara në Shqipëri. Në vitin 2020, Prokuroria e Posaçme nisi një hetim mbi pasuritë e tij dhe gjatë verifikimeve u evidentua edhe përfitimi i një trualli prej rreth 500 metrash katrorë në një prej zonave më të shtrenjta të Tiranës, në rrugën “Dervish Hima”, pranë stadiumit “Air Albania”.
Tashmë, pas ekstradimit nga Dubai, Dizdari ndodhet në një burg në Belgjikë, ku do të vuajë dënimin prej 10 vitesh të dhënë nga autoritetet belge.











