Philippe Diallo ka hyrë zyrtarisht në garën për presidencën e FIFA-s dhe, sipas Reuters, kreu i Federatës Franceze të Futbollit ka edhe mbështetjen e presidentit francez Emmanuel Macron.
63-vjeçari u zgjodh në momentet e fundit si kandidati i UEFA-s për të sfiduar Gianni Infantinon, ndërsa tashmë po kërkon edhe një bashkëpunim me kandidatin japonez Kozo Tashima.
“Nëse duam të fitojmë, besoj se duhet të bashkojmë forcat”, deklaroi Diallo në një konferencë për shtyp në Paris.
Ai konfirmoi se kontaktet me Tashiman kanë nisur dhe se do të zhvillojë bisedime për të parë nëse dy kandidaturat mund të bashkojnë forcat. Megjithatë, Diallo nuk sqaroi nëse një marrëveshje e tillë do të nënkuptonte tërheqjen e njërit prej tyre nga gara.
Francezi pranoi se fillimisht nuk kishte planifikuar të kandidonte. Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s i kërkoi të hynte në garë të hënën, ndërsa një ditë më pas kandidatura e tij u miratua unanimisht edhe nga Federata Franceze.
Diallo ka ngritur një sërë kritikash ndaj drejtimit të FIFA-s nga Infantino, duke përmendur disa vendime të marra gjatë muajve të fundit.
Mes tyre ai renditi Çmimin e Paqes të FIFA-s, mënyrën e shpërndarjes së të ardhurave të Kupës së Botës në SHBA, çështjen e pezullimit të Folarin Balogun, kohëzgjatjen e pushimit në finalen e Botërorit dhe projektin për futjen e investitorëve privatë në një kompani të re komerciale të FIFA-s.
“Të gjitha këto vendime, shpesh të marra në mënyrë individuale, kanë tronditur botën e futbollit. Besimi ndaj FIFA-s dhe presidentit të saj është thyer”, deklaroi Diallo.
Ai konfirmoi gjithashtu se Emmanuel Macron mbështet kandidaturën e tij, pasi Arsène Wenger kishte refuzuar mundësinë për të hyrë në garë.
Megjithatë, rruga drejt presidencës mbetet e vështirë. UEFA kontrollon vetëm 55 nga 211 votat e FIFA-s dhe, sipas Reuters, Diallo nuk gëzon mbështetjen e të gjitha federatave europiane.
Infantino, i cili kërkon një mandat të katërt, ka ndërkohë mbështetje të fortë nga Konfederata Afrikane e Futbollit dhe CONMEBOL.
Në garë janë shpallur gjithashtu Kozo Tashima dhe ish-mbrojtësi i Tottenhamit, Ramon Vega.
Afati për paraqitjen e kandidaturave përfundon të mërkurën në mesnatë sipas orës zvicerane, ndërsa zgjedhjet për presidentin e FIFA-s do të mbahen më 18 mars në Rabat.











