Një hetim i zhvilluar nga Ukraina, me ndihmën e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, ka arritur në përfundimin se forcat ruse përdorën gaz lotsjellës kundër ushtarëve ukrainas, duke e hedhur atë nga një dron. Raporti, i publikuar të martën, lidh për herë të parë përdorimin e kësaj lënde kimike drejtpërdrejt me ushtrinë ruse.
Hetimi u përqendrua te një sulm i ndodhur në shtator të vitit 2024, ndaj një pozicioni ushtarak në Ukrainën qendrore. Studiuesit analizuan një video të publikuar në një kanal rus në Telegram, ku sipas tyre shihet një granatë e mbushur me gaz lotsjellës që hidhet nga një dron mbi pozicionet ukrainase.
Bëhet fjalë për gazin CS, i cili përdoret nga policia për kontrollin e turmave, por konventa ndërkombëtare për armët kimike ndalon përdorimin e tij nga ushtritë gjatë luftës. Sipas autoriteteve ukrainase, janë regjistruar rreth 14 mijë incidente të ngjashme gjatë konfliktit, ndërsa në 3 mijë raste ushtarët kanë pasur nevojë për trajtim mjekësor. Rusia nuk ka komentuar raportin e fundit, por më herët ka mohuar përdorimin e armëve kimike dhe ka akuzuar Ukrainën për të njëjtën gjë.











