Shtetet e Bashkuara kanë humbur zyrtarisht statusin e eliminimit të fruthit, të cilin e mbanin që prej vitit 2000. Vendimi u njoftua nga Organizata Panamerikane e Shëndetësisë, pas përhapjes së vazhdueshme të sëmundjes dhe regjistrimit të më shumë se 5 mijë rasteve gjatë këtij viti.
Sipas të dhënave të Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, deri më tani janë konfirmuar 5 mijë e 412 raste, më shumë se dyfishi i vitit të kaluar. Mbi 590 persona janë shtruar në spital dhe të paktën gjashtë kanë humbur jetën. Për të humbur statusin e eliminimit, një vend duhet të ketë transmetim të vazhdueshëm të virusit brenda territorit për të paktën 12 muaj.
Fruthi konsiderohej i eliminuar në SHBA që prej vitit 2000, por shpërthimet e fundit kanë treguar se sëmundja po qarkullon sërish në komunitete të ndryshme. Ekspertët e shëndetit publik e lidhin përhapjen me rënien e mbulimit me vaksinim në disa zona. Për të rikthyer statusin, autoritetet duhet të ndërpresin transmetimin lokal dhe të forcojnë fushatat e vaksinimit. Sipas Organizatës Panamerikane të Shëndetësisë, mbulimi me vaksinë duhet të jetë të paktën 95 për qind për të parandaluar shpërthimet.











