Të gjesh një apartament me qira nën 400 euro brenda vijës së verdhë të ndërtimit në Tiranë është tepër e vështirë.
Familjet me buxhete të kufizuara po e shtyjnë blerjen e shtëpisë dhe detyrohen të paguajnë qira gjithnjë e më të larta, ndërsa agjentët imobiliarë pohojnë se edhe në zonat periferike janë të pakta apartamentet me çmime të lira.
Agjentët e tregut të qirasë nënvizojnë se shumë pak prona listohen me çmime 300–350 euro, kryesisht në periferitë “Astir” ose “Fresku”, të cilat merren menjëherë nga qiramarrësit.
Së fundmi, edhe në raportin e publikuar nga “Deloitte”, ku analizohet tregu i pasurive të paluajtshme për 28 shtete europiane, dhe në të cilin Shqipëria u përfshi për herë të parë, thuhet se të ardhurat totale nga qiratë në vitin 2024 arritën afërsisht 350 milionë euro, me rritje prej rreth 10% krahasuar me vitin e mëparshëm.
Në segmentin e qirave rezidenciale, sivjet çmimet për apartamente 1+1 në Tiranë kanë arritur deri në 900 euro në muaj në zonat më të kërkuara të qytetit.
Çmimet e qirave për apartamentet 1+1 në zonat më të kërkuara të Tiranës kanë shënuar rritje të ndjeshme nga viti 2024 në 2025, duke reflektuar shtimin e kërkesës, uljen e ofertës dhe ndryshimet strukturore në treg.
Në Tiranë, zona më e shtrenjtë për qiratë e apartamenteve vijon të mbetet pranë stadiumit “Air Albania”. Për banesa 2+1, çmimi mesatar arriti në 1,800 euro në muaj. Krahasuar me vjet çmimet u rritën me 13%.
Në zonën e ish-Bllokut, çmimi për apartamente 1+1 në shtator të këtij viti arriti 650 euro në muaj. Krahasuar me vjet, çmimet e qirasë janë rritur me 16%. Për apartamentet 2+1, çmimi i qirasë ka arritur 900 euro apo 6% më shumë se 2024.
Në Rrugën e Elbasanit, çmimi i qirave për apartamentet 1+1 është 700 euro në muaj në 2025 apo rreth 8% më shumë se vjet. Rritje të ndjeshme në këtë zonë kanë shënuar qiratë për prona 2+1.
Nga 700 euro në muaj që ishin çmimet vjet, sivjet kanë arritur në 1,100 euro në muaj apo 57% më shumë, për shkak të kërkesës së lartë dhe ofertës së ulët sipas agjentëve imobiliarë.











