Shokët e skuadrës së Liverpool-it me një kurorë të kuqe me numrin 20, si fanella e Diogo Jotës. Shumë shokë të kombëtares portugeze dhe të skuadrave të tjera. Në një atmosferë të përshkuar nga dhimbja dhe intimiteti, shumë kampionë futbolli, familjarë dhe miq të ngushtë morën pjesë në Gondomar, në funeralin privat të sulmuesit portugez dhe të vëllait të tij André Silva, të cilët humbën jetën dy ditë më parë në një aksident rrugor në Spanjë. I pranishëm ishte edhe e veja, Rute, prindërit dhe gjyshi i dy të ndjerëve.

Qindra njerëz ishin mbledhur para kishës famullitare. Ata e pritën me duartrokitje të ndjera mbërritjen e Rute Cardoso, gruan e Diogo Jotës dhe nënën e tre fëmijëve të tyre të vegjël, e cila ishte martuar me të vetëm më 22 qershor. Duartrokitje e gjatë në mbërritjen e dy arkivoleve, të shoqëruar prej kortezhit mortor nga “Kapela e Ringjalljes” deri te kisha famullitare e Gondomar.

Arkivoli i André Silvës u mbajt nga shokët e skuadrës së Penafiel. Më pas mbërriti trupi i pajetë i Diogo Jotës, me Rúben Neves mes miqve dhe familjarëve që mbante arkivolin. Mbrëmë, portugezi i Al Hilal u ngushëllua nga shokët e tij të skuadrës teksa qante në fushë, para ndeshjes së humbur me Fluminense, në Orlando, Florida.

“Të dashur Dinis, Mafalda dhe Duarte, – tha peshkopi gjatë homelisë, duke iu drejtuar fëmijëve të Diogo Jotës, që nuk ishin të pranishëm. – Në këtë moment po vuani jashtë mase, ose ndoshta jo, sepse nuk e kuptoni. Do të lutem shumë për ju.
Ata që vuajnë shumë janë nëna juaj dhe gjyshërit tuaj. Të shohësh ceremoninë mortore të dy djemve duhet të jetë një mundim i pafund. Kur arkivolet janë dy, nuk ka fjalë, por ka ndjenja. Jemi këtu për të thënë se edhe ne kemi vuajtur shumë. Jemi këtu me ju emocionalisht”.



Shokët – Përveç familjeve të dy lojtarëve, në vigjiljen mortore të djeshme morën pjesë shumë figura të njohura të futbollit portugez, ndër to Bernardo Silva, Jota Silva, Bruno Fernandes, Pote dhe Rui Jorge. Sot ishin të pranishëm edhe shumë lojtarë të Liverpool-it: Endo, Kelleher, Van Dijk, Curtis Jones, Robertson, Chiesa, Elliott, Mac Allister dhe Connor Bradley, si dhe ish-lojtarët Thiago Alcantara e Fabinho. Bashkë me ta edhe Arne Slot, trajneri i “Reds”. Në ceremoninë mortore ishin edhe shumë lojtarë të kombëtares portugeze, ndër të tjerë: Bernardo Silva, João Moutinho, më pas João Félix, José Fonte, Danilo, Adrien Silva, Ricardo dhe André Horta.

Vigjilja – Dje, qindra njerëz morën pjesë në vigjiljen mortore. Ndër ta edhe presidenti portugez Marcelo Rebelo de Sousa, kryeministri Luis Montenegro, agjenti i Jotës, Jorge Mendes, dhe presidenti i Portos, André Villas-Boas.
“Futbolli është në zi. Diogo ishte një ikonë e talentit që përfaqëson futbolli portugez”, – deklaroi presidenti i Federatës Portugeze të Futbollit, Pedro Proenca. Ishin të pranishëm familjarët dhe miqtë, përfshirë prindërit dhe gjyshin. Diogo Jota ishte martuar më 22 qershor me partneren e tij që në bankat e shkollës, Rute Cardoso, në prani të tre fëmijëve të tyre.

Ngushëllimet – Tragjedia shkaktoi një valë emocioni në botën e futbollit dhe jo vetëm. Liverpool-i, që do të paguajë për familjarët dy vitet e mbetura të kontratës së Jotës, hapi një libër ngushëllimesh dhe uli flamujt në gjysmë shtize. Dhjetëra tifozë vendosën një “det” me lule, balona, fanella të Jotës dhe shaje me mbishkrimin “Pusho në paqe Diogo Jota”, jashtë “Anfield”-it.
Në akademinë e futbollit të Diogo Jotës, pranë Gondomar SC, ku ish-lojtari i Portos dhe Atletico Madridi kishte hedhur hapat e parë në futboll, tifozët sollën lule, shaje, qirinj dhe fanella. “Faleminderit, Diogo Jota”, shkruhej në mesazhin e shkruar me dorë nga një fëmijë.

Pedro Neves, mik i Jotës në shkollë, në Gondomar, tha se “do ta kujtoj si një person shumë miqësor, shumë i sjellshëm, që i donte të gjithë dhe kishte gjithmonë buzëqeshje në fytyrë”. Në shenjë zie, Liverpool-i e shtyu për të hënën rifillimin e stërvitjeve. Vetëm atëherë do të rikthehen lojtarët, të cilët duhej do të ktheheshin dje.


Diogo Jota do të duhej të shkonte në Liverpool me traget, nga Santanderi, në veri të Spanjës, kur ndodhi aksidenti, pasi i ishte këshilluar të mos udhëtonte me avion për shkak të një ndërhyrjeje të fundit kirurgjikale në mushkëri. Por ‘Lamborghini Huracan’, me të cilin po udhëtonte së bashku me vëllain André, për shkak të shpërthimit të një gome, gjatë parakalimit, doli nga rruga dhe mori flakë, pa u lënë asnjë shans të dy të rinjve.