Ka përfunduar mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, e zhvilluar para nisjes së seancës plenare ku sot pritet të votohet drafti i PS-së për reformën territoriale.
Në mbledhje ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili pas përfundimit të mbledhjes u largua nga ambientet e Parlamentit.
Vëmendja ishte te qëndrimi që do të mbajnë deputetët socialistë Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj, të cilët në mbledhjen e kaluar të grupit kishin shprehur votën kundër draftit.
Tashmë pritet të shihet nëse dy deputetët do të votojnë kundër edhe në seancën plenare.
Drafti parashikon shkrirjen e 15 bashkive në të gjithë vendin. Për miratimin e reformës territoriale nevojiten 84 vota në Kuvend.
Votat kundër të Braçes dhe Sinajt do ta vështirësonin sigurimin e shumicës së nevojshme për miratimin e draftit, pasi deputetja Marjana Koçeku është larguar nga Grupi Parlamentar i PS.
Kështu pa votën e Braçes, Sinajt dhe Koçekut, PS ka vetëm 80 vota. Bashkë me votat e aleatit të saj PSD, mund të sigurojë 83 vota, pra të pamjaftueshme për të kaluar reformën.










