E enjtja pritet të sjellë një situatë të tensionuar politike në Tiranë, teksa Kuvendi mblidhet në seancë plenare dhe në rendin e ditës është votimi i reformës së re administrativo-territoriale.
Seanca pritet të nisë në orën 10:00, ndërsa në qendër të diskutimeve do të jetë projektligji që parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, me 15 bashki që parashikohet të bashkohen me njësi vendore më të mëdha.
Përballë këtij votimi, opozita ka paralajmëruar protestë jashtë ambienteve të Kuvendit. Partia Demokratike ka deklaruar se do ta kundërshtojë reformën si brenda, ashtu edhe jashtë Parlamentit, ndërsa tubimi është paralajmëruar paralelisht me zhvillimin e seancës.
Por protesta e opozitës nuk do të jetë e vetmja që do të zhvillohet në zonën përreth Kuvendit. Edhe një grup qytetarësh, të cilët prej më shumë se 130 ditësh kanë zhvilluar protesta kundër qeverisë Rama, kanë paralajmëruar pjesëmarrjen e tyre në tubimin e së enjtes. Sipas njoftimeve të bëra publike, protestuesve pritet t’u bashkohen edhe qytetarë nga zonat që preken drejtpërdrejt nga harta e re territoriale.
Në ditët e fundit, kundërshtime ndaj reformës kanë ardhur edhe nga banorë të bashkive që parashikohet të humbasin statusin e tyre. Në protestat e zhvilluara para Kuvendit janë përfshirë, ndër të tjera, banorë të Poliçanit dhe Fushë-Arrëzit.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka marrë masa në terren për mbarëvajtjen e situatës dhe menaxhimin e protestave. Efektivë janë pozicionuar në disa pika në aksin pranë Kuvendit, nga zona e Xhamisë së Namazgjasë dhe përgjatë “Rrugës së Elbasanit”, deri në drejtim të Ministrisë së Brendshme.
Reforma territoriale mbërrin kështu në një pikë vendimtare, pas miratimit të projektligjit në Komisionin e Ligjeve më 5 tetor. Drafti parashikon që Shqipëria të kalojë nga 61 në 46 bashki, ndërsa opozita ka paraqitur një alternativë tjetër për organizimin territorial.











