Andrés Iniesta ka folur hapur për çështjen Negreira, duke mbrojtur periudhën e tij te Barcelona dhe duke theksuar se, nga ajo që ai ka përjetuar në fushë, nuk ka ndier apo parë ndihmë ndaj klubit katalanas.
Ish-mesfushori i Barcelonës, tashmë trajner në Emiratet e Bashkuara Arabe, dha një intervistë për AS përpara hapjes së ekspozitës “Iniesta, the Inner Game”, ku u pyet edhe për një nga temat më të diskutuara të futbollit spanjoll.
“Duke e parë vetëm nga aspekti futbollistik, për mua nuk ka debat. Edhe sikur të analizonim çdo ndeshje të asaj periudhe, nuk do të gjenim as 1% të atyre rasteve të pretenduara të favorizimit”, deklaroi Iniesta.
Ai shtoi se gjatë gjithë karrierës së tij te Barcelona nuk ka parë apo ndier ndonjë ndihmë të veçantë në favor të skuadrës.
“Nuk kam dëgjuar, parë apo ndier ndonjë ndihmë. Në çdo ndeshje, si tifozët ashtu edhe lojtarët, gjithmonë mendojnë se vendimet favorizojnë kundërshtarin”, shtoi ai.
Gjatë intervistës, Iniesta foli edhe për karrierën e re si trajner, Ballon d’Or, kombëtaren spanjolle dhe të ardhmen e brezit aktual të Spanjës, por deklaratat për çështjen Negreira ishin ndër më të drejtpërdrejtat.











