Tri vajza kanë rrezikuar të mbyteshin sot në det në zonën e Palasës, pasi kushtet atmosferike u përkeqësuan gjatë kohës që ato lundronin me kanoe.
Ngjarja u konstatua nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare gjatë patrullimit në këtë sektor dhe ndërhynë për t’u ardhur në ndihmë tre vajzave.
Pas operacionit të shpëtimit, ato u nxorën në breg në gjendje të mirë shëndetësore dhe pa rrezik për jetën.
Pas ngjarjes, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë përsëritur apelin për pushuesit dhe përdoruesit e mjeteve lundruese që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të kontrollojnë kushtet e motit dhe të detit përpara se të dalin në ujë.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin daljet në det kur kushtet atmosferike paraqesin rrezik për sigurinë e tyre.











