Vendimi i Gjykatës së Posaçme për masën e arrestit ndaj drejtuesve të AKSHI-t dhe dy biznesmenëve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri përfshin edhe dëshminë e Gerond Meçes, biznesmenit që u mor peng derisa pranoi të tërhiqej nga ankimimet që kishte bërë për disa tendera shtetërorë.
Në dëshminë e dhënë Meçe tregon se poshtë pallatit të tij sapo kishte dalë nga makina, i ishin afruar dy persona të cilët i ishin prezantuar si punonjës të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Pasi e kanë futur në makinë, ai e ka kupotuar që nuk janë nga SPAK, dhe u ka thënë se nuk është kriminel, duke tentuar të kuptojë se përse e kanë rrëmbyer
Pjesë nga dëshmia:
Në momentin që po vinin prangat deklaruesi u thotë “o çuna unë nuk jam kriminel”. Personi i dytë thotë “Ça the ti, ça the, kush është kriminel?!”, ndërkohë që shoferi u thotë vërini kapuçin. Kur po dilnin nga parkimi i oborrit ka parë babain e tij dhe në atë moment i kanë vënë kapuçin e zi në kokë. Ka kuptuar që personat nuk janë nga SPAK-u. Makina për punë sekondash ndalon në semafor, deklaruesi mendon që do ecë drejt, ndërkohë që makina devijon majtas i pyet se në cilin komisariat do më çonin. Personi i parë i thotë “në komisariatin më të afërt”. Personat para kishin komunikime me zë të ulët mes tyre.
Ai ka kuptuar që lëvizjet e makinës ishin për nga Durrësi duke krijuar bindjen që nuk ishin punonjës policie dhe u thotë: “Çuna, e mora vesh se çfarë jeni.” Më pas makina ka marrë drejtimin të Astirit dhe në ato momente u ka thënë: “Çuna, unë jam në moshë dhe kam probleme me zemrën, kapuçin që kam në kokë më pengon frymëmarrjen.” Kur makina futet në unazë të madhe, sapo kalon Astirin, i heqin kapuçin nga koka, por personi i tretë (në të majtën e tij) mundohet t’ia shtyjë kokën poshtë dhe i mbulonte fytyrën me dorë, por pavarësisht kësaj ai ka parë gjithë itinerarin që kanë përshkruar. Personi i parë (pasagjeri para) i ka kërkuar password-in e telefonit. Gerondi i thotë që do ia japë në komisariat. Personi i tretë filloi të ushtronte forcë te prangat duke i shtrënguar, pas refuzimit për t’i dhënë password-in. Ata i thonë “ta tregojmë ne, e dimë ne çfarë je ti, hajde je i…”.
Makina ka marrë drejtimin për nga Elbasani, pas unazës së madhe, më pas kanë bërë dalje për në fshatin Krabë dhe makina ka vijuar rrugën e vjetër të Elbasanit. Gjatë kësaj kohe ata nuk kanë komunikuar. Kur kanë ndaluar, ora në automjet shënonte rreth 11:20, dhe janë gjendur në një vend si shesh i madh “ballkan” afër fshatit Gracen, me pamje nga fshati Papër, pasi deklaruesi pohon se në atë pozicion shtrihet gjurma e rrugës së re që po hapet “Elbasan – Durrës”. Në krah të majtë ishte një godinë me tulla të bardha e braktisur, një katëshe, pa dritare, e cila dhe një pemë përtej murit rrethues të rrugës. I kërkojnë të dalë jashtë nga makina dhe vazhdojnë t’i kërkojnë password-in e telefonit. Fillimisht refuzoi t’ua japë dhe në këtë moment vjen shoferi dhe e godet me shpullë. Marrin telefonin dhe e vendosin te gishti i deklaruesit pasi duart i kishte mbrapa. Personi i tretë i heq prangat nga mbrapa dhe ia vendos përpara. Ata arrijnë të hapin telefonin me gjurmën e gishtit të tij, dhe deklaruesi ka menduar që në atë moment ata e kaluan direkt në airplane mode. Në një moment të mëparshëm, pa u futur akoma në unazë të madhe, kishte rënë telefoni pa pushim. Kjo i ka dhënë një shpresë që dikush po e kërkonte dhe prandaj nuk kishte pranuar t’u jepte password-in, pasi shpresonte se dikush do e gjente.
Personi i parë (pasagjeri para) thotë që “Po të kërkojmë të bashkëpunosh, jo si me password-in, se në të kundërt ke plumbin në kokë”. Ky është edhe momenti ku të tre, përveç shoferit, demonstrojnë armët e shkruara që kishin në brez. Personi i dytë nxjerr pistoletën nga brezi, e mban në dorë dhe bën veprime duke nxjerrë dhe futur karikatorin, ndërkohë që personi i parë po e mbante pistoletën në dorë duke e kërcënuar. Do bashkëpunosh apo jo këtu?”. Deklaruesi në këtë moment i thotë “Ore për çfarë të bashkëpunoj?”. Personi i parë që ka qenë veshur me jelek me mbishkrimin BKH (e cila e ka hequr tashmë) shkon te makina dhe del me një zarf të bardhë në dorë, hap zarfin dhe i jep një letër që kishte një tabelë Excel dhe i thotë “E njeh këtë letër?”. I tregon letrën, e cila ka një tabelë ku nga emërtimi kupton që janë të shkruara tenderat për të cilët kompania e tij ka ankimuar dhe në një kolonë edhe gjendja, situata e tenderit në KPP (Komisioni i Prokurimit Publik). Gjithashtu ka evidentuar në këtë moment ndër të tjera një procedurë e cila ishte e shënuar Gjykata Administrative.









