26 shtator 2026 – Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, nis sot zyrtarisht misionin e tij diplomatik në Tiranë, me paraqitjen e letrave kredenciale te Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
Ceremonia që pritet në mesditë shënon hapin e parë formal të Wendt në ushtrimin e detyrës së tij si përfaqësues i Washingtonit në Shqipëri.
Pas takimit me Kreun e Shtetit, Wendt pritet të vijojë axhendën e tij diplomatike me takime të nivelit të lartë. Të hënën, ai pritet të zhvillojë takimin e parë me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.
Në ditët në vijim, ambasadori i ri amerikan pritet të prezantohet edhe me përfaqësues të politikës dhe medias shqiptare, në një ceremoni që Ambasada e SHBA-ve do të organizojë të premten, më 2 tetor.
Wendt u konfirmua zyrtarisht në këtë detyrë më 8 gusht, pasi Senati amerikan miratoi emërimin e tij. Pas konfirmimit nga Senati, emërimi u formalizua përfundimisht me nënshkrimin e Presidentit Donald Trump.











